Forca e Sigurisë së Kosovës ka realizuar me sukses kursin “Combat Life Saver”, një trajnim i specializuar për përgatitjen e personelit ushtarak me njohuri dhe shkathtësi bazike dhe të avancuara mjekësore për ofrimin e kujdesit urgjent në fushëbetejë.
Trajnimi është zhvilluar në Qendrën e Trajnimeve të Regjimentit të Mjekësisë të Komandës së Logjistikës dhe është realizuar në përputhje të plotë me standardet e NATO-s për kujdesin mjekësor taktik para-spitalor.
Sipas njoftimit të FSK-së, kursi synon rritjen e mbijetesës së të plagosurve përmes menaxhimit efektiv të traumave, kontrollit të gjakderdhjes, ruajtjes së rrugëve të frymëmarrjes, stabilizimit të gjendjes së pacientit dhe përgatitjes për evakuim mjekësor.
Trajnimi “Combat Life Saver” siguron që personeli ushtarak të jetë i aftë të ndërhyjë shpejt dhe në mënyrë të koordinuar në situata emergjente, duke aplikuar protokolle të standardizuara të kujdesit mjekësor në kushte operative.
Ky kurs përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve profesionale të FSK-së dhe në rritjen e gatishmërisë së saj për misione mbrojtëse dhe operacione të ndryshme, në përputhje me doktrinën dhe praktikat bashkëkohore ushtarake.

