Blloku A5 i Korporatës Energjetike të Kosovës është ndalur për shkak të sanimit të rrjedhjeve të ujit, një ndërhyrje teknike që po prodhon kosto të konsiderueshme financiare për sistemin energjetik të vendit.
Sipas të dhënave, blloku A5 ka prodhuar deri në 125 MWh energji elektrike para se të ndalej. Me ndaljen e tij, Kosova është detyruar të mbulojë mungesën përmes blerjes së energjisë në bursat rajonale dhe evropiane.
Çmimi mesatar i energjisë për ditën e nesërme në bursën ALPEX është rreth 68 euro/MWh, ndërsa në bursën HUPX arrin deri në 145 euro/MWh. Bazuar në këto çmime, vetëm për 24 orë, kostoja minimale e blerjes së energjisë nga bursat vlerësohet në rreth 200 mijë euro.
Kjo situatë po ngre shqetësime serioze mbi menaxhimin e mirëmbajtjes së kapaciteteve prodhuese, sidomos në një periudhë kur qytetarët po paralajmërohen për rritje të reja të çmimit të energjisë elektrike.
Ndërkohë, kritikat shtohen edhe për prioritetet buxhetore, pasi projekte jetike publike si QKUK-ja vazhdojnë të mbesin pa renovim dhe investime thelbësore, ndërsa humbjet në sektorin energjetik vazhdojnë të rëndojnë financat publike.
Ekspertët paralajmërojnë se pa investime serioze në mirëmbajtje dhe modernizim të kapaciteteve ekzistuese, kosto të tilla do të përsëriten, duke u reflektuar drejtpërdrejt në faturat e qytetarëve.

