Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me procesin e numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike.
Sipas njoftimit për media, autorizimi i parë për fillimin e hetimeve është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj. Veprimet e mëtejshme po zhvillohen me autorizimet e prokurorëve të caktuar, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës.
Nga dita e sotme ka nisur procesi i intervistimit të komisionarëve, lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike. Qëllimi i këtij procesi është sqarimi dhe zbardhja e plotë e të gjitha rrethanave që lidhen me këtë rast.
Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore për të siguruar zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës.
Tutje, Prokuroria ka theksuar se do ta mbajë të informuar opinionin publik për çdo zhvillim të ri që lidhet me këtë proces hetimor.

