Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka vënë në funksion linjën telefonike pa pagesë 0800 46 757, në kuadër të periudhës informuese për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete.
Sipas njoftimit zyrtar, linja synon të ofrojë informim të shpejtë dhe të saktë për qytetarët, të huajt dhe vizitorët, pa kosto telefonike. Përmes këtij numri, palët e interesuara mund të marrin sqarime lidhur me qëndrimin e të huajve në Kosovë dhe qarkullimin e automjeteve të regjistruara jashtë vendit.
Shërbimi do të ofrohet në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze, duke synuar lehtësimin e qasjes në informata për të gjithë përdoruesit.
MPB bën të ditur se kjo linjë është pjesë e fushatës informuese që do të zgjasë deri më 15 mars 2026, me qëllim të rritjes së informimit publik dhe respektimit të legjislacionit në fuqi.
https://mpb.rks-gov.net/…/Lansohet-linja-0800-pa-pagese…

