Nesër do të mbahet një protestë kundër paralajmërimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në bashkëpunim me organizatën Përpjekja.
Protesta do të nisë në ora 13:00, para Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), për të vazhduar më pas drejt Qeveria e Kosovës, ku edhe do të përfundojë.
Sipas organizatorëve, kjo protestë vjen si reagim ndaj vendimeve dhe paralajmërimeve për shtrenjtimin e rrymës, të cilat po rrisin barrën financiare mbi qytetarët dhe familjet kosovare.
Në njoftimin për media, ata kritikojnë rritjet e vazhdueshme të faturave të energjisë elektrike që nga viti 2022, duke i cilësuar si të padrejta dhe të dëmshme për mirëqenien sociale. Sipas tyre, KEDS ka kërkuar vazhdimisht rritje çmimesh, të cilat janë miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), pa marrë parasysh realitetin ekonomik të qytetarëve.
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke theksuar se energjia elektrike është nevojë bazike dhe jo luks, dhe se politikat energjetike duhet të jenë në shërbim të interesit publik, e jo në dëm të tij.

