Një situatë e tensionuar është regjistruar të dielën në hapësirat përreth tregut të automjeteve në Prishtinë, mes zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe shitësve ilegalë.
Sipas informacioneve nga terreni, shitësit kanë tentuar të bllokojnë rrugën si shenjë proteste, pasi nuk po u lejohet të shesin produkte të tjera përveç pjesëve të automjeteve brenda tregut.
Komuna e Prishtinës, përmes Inspektoratit të Kryeqytetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe inspektorët e AVUK-ut, që nga ora 05:00 e mëngjesit ka nisur një aksion të përbashkët në lokacionin e tregut të automjeteve dhe në zonat përreth.
Qëllimi i këtij aksioni është parandalimi i bllokimit të hapësirave publike dhe ndalimi i shitjes ilegale të shpezëve dhe produkteve të tjera që nuk lejohen në këtë treg.
Shitësit, të cilëve nuk u është lejuar të shesin sot në tregun që tradicionalisht mbahet çdo të diel, janë ankuar duke thënë se kanë ardhur nga qytete të ndryshme dhe kanë kërkuar që t’u mundësohet zhvillimi i aktivitetit tregtar.
Aktualisht, ata po qëndrojnë përballë zyrtarëve të Policisë së Kosovës në shenjë proteste, ndërsa situata mbetet nën kontrollin e autoriteteve.

