Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës ka njoftuar për tërheqjen e menjëhershme nga tregu të disa produkteve ushqimore për foshnje të markës APTAMIL, pas dyshimeve për praninë e toksinës së rrezikshme Cereulide.
Sipas AUV-së, njoftimi është pranuar përmes RASFF – Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë.
Produktet e prekura dhe origjina
Njoftimet zyrtare të pranuara nga RASFF përfshijnë:
-
Njoftimi nr. 2026.0663 – formulë për foshnje e prodhuar në Gjermani
-
Njoftimi nr. 2026.1018 – produkte të prodhuara në Holandë
-
Njoftimi nr. 2026.1017 – formulë për foshnje dhe produkte për qëllime mjekësore të prodhuara në Irlandë
Të gjitha këto produkte dyshohet se përmbajnë toksinën Cereulide, e cila konsiderohet rrezik serioz për shëndetin e foshnjave.
Masa urgjente në Kosovë
Për shkak të nivelit të lartë të rrezikut, AUV ka njoftuar se, në bashkëpunim me kompaninë importuese UNION sh.p.k. nga Vushtrria, janë duke u ndërmarrë masa të menjëhershme për tërheqjen e plotë të këtyre produkteve nga tregu kosovar.
Thirrje për biznese dhe qytetarë
AUV u ka bërë thirrje:
-
Bizneseve – të ndërpresin menjëherë shitjen e këtyre produkteve
-
Prindërve dhe konsumatorëve – të mos i përdorin produktet e dyshuara dhe t’i kthejnë ato në pikat e shitjes ku janë blerë
AUV: Siguria ushqimore prioritet
Agjencia ka theksuar se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut, si dhe në zbatimin e masave parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, veçanërisht të foshnjave.
