Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK) u ka dhënë ultimatum autoriteteve shtetërore për lirimin e menjëhershëm të mësimdhënësit Abaz Kadriu, i cili po mbahet në ndalim 48-orësh si i dyshuar për sulm fizik, duke paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve sindikale në nivel vendi nëse kjo nuk ndodh.
Përfaqësuesi i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, i cili iu bashkua grevës dyorëshe të kolektivit të shkollës Shkolla Pavarësia në Prishtinë, tha se mësimdhënësi është sulmuar në vendin e punës, duke e cilësuar ndalimin e tij si të padrejtë.
“Kjo nuk është hera e parë që mësimdhënësit sulmohen fizikisht, madje edhe nga prindërit. Ne menjëherë e kemi përkrahur kolegun dhe sot jemi këtu për ta mbështetur veprimin e mësimdhënësve”, tha Ymeri.
Ai u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë me urgjencë për zbardhjen e rastit dhe lirimin e arsimtarit, duke paralajmëruar pasoja në rast të mosreagimit.
“Nëse rasti nuk sqarohet shpejt dhe mësimdhënësi nuk lirohet, kjo formë e veprimit sindikal mund të përshkallëzohet”, theksoi ai.
Ymeri kërkoi gjithashtu që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa ndaj prindërve dhe nxënësve që, sipas tij, shfaqin sjellje të dhunshme në shkolla.
Kolektivi i shkollës “Pavarësia” zhvilloi të martën në mëngjes një grevë dyorëshe, duke mos mbajtur dy orët e para të mësimit, në shenjë solidariteti me mësimdhënësin Abaz Kadriu.
Kadriu është arrestuar të hënën rreth orës 12:00 dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë si i dyshuar për veprën penale “sulm fizik”.

