Policia e Kosovës ka realizuar me sukses një ekstradim ndërkombëtar nga Gjermania dhe një arrestim tjetër brenda territorit të Kosovës, në kuadër të luftës së vazhdueshme kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
Sipas njoftimit zyrtar, më 10.02.2026, në koordinim të plotë me autoritetet gjermane, është ekstraduar për në Kosovë një shtetas kosovar, i cili ishte në kërkim me urdhër-arrest ndërkombëtar. I dyshuari akuzohet për vepra të rënda penale dhe për shmangie nga drejtësia.
Pas mbërritjes në Kosovë, ai iu dorëzua njësive përkatëse policore dhe është vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë për procedura të mëtejme ligjore.
Ndërkohë, gjatë së njëjtës ditë, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një shtetas të huaj brenda vendit, i cili po ashtu ishte i kërkuar ndërkombëtarisht. Arrestimi është bërë në bazë të urdhër-arresteve ndërkombëtare të lëshuara nga disa shtete të Bashkimit Evropian, ndërsa i dyshuari lidhet me aktivitet kriminal të organizuar.
Me vendim të prokurorit kompetent, ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, respektimin e procedurave ligjore vendore dhe ndërkombëtare, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor vazhdon shkëmbimin aktiv të informatave me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim parandalimin, hetimin dhe goditjen e grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

