Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës me 66 vota “për”, duke mbajtur menjëherë fjalën e saj të parë nga foltorja e Kuvendit.
Në adresimin inaugurues, ajo tha se do ta nderojë besimin e qytetarëve me punë të përditshme, transparencë dhe përkushtim të plotë ndaj rendit demokratik dhe Republikës.
“Kuvendi është shtëpia politike e të gjithë qytetarëve tanë, edhe e atyre që pajtohen me ne dhe atyre që mendojnë ndryshe, sepse shteti u shërben të gjithëve”, deklaroi Haxhiu.
Mesazh për ish-krerët e UÇK-së
Në fjalën e saj, Haxhiu u ndal edhe te procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke shprehur pritjen që ata të kthehen sa më parë në vend.
Ajo theksoi se debati i lirë në Kuvend sot është i mundur falë sakrificës së popullit për liri dhe luftës çlirimtare të UÇK-së.
“Historia e popullit shqiptar është e qartë dhe e drejtë. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe për çlirim. Dihet kush ka qenë agresori dhe kush ka kryer krime në vendin tonë”, u shpreh ajo.
“Serbia nuk u përball me drejtësinë”
Haxhiu theksoi se krimet e kryera gjatë luftës janë të dokumentuara ndërkombëtarisht dhe se, sipas saj, përgjegjësia bie mbi Serbinë.
“Ato krime janë kryer nga Serbia, e cila kurrë nuk u përball me drejtësinë në mënyrë serioze”, deklaroi kryetarja e re e Kuvendit.
Zgjedhja e saj në krye të institucionit ligjvënës vjen në një moment të ndjeshëm politik, ndërsa proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së vijojnë jashtë vendit.

