Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të importit të të gjitha llojeve të qumështit të përpunuar për foshnje “APTAMIL” në Kosovë.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është bazuar në sinjalizimet e pranuara nga Rapid Alert System for Food and Feed (RASFF), ku disa vende të BE-së – përfshirë edhe Kosovën – janë përballur me raportime lidhur me praninë e mundshme të toksinës Cereulide në këtë produkt.
Tërheqje nga tregu dhe kontrolle në terren
AUV bën të ditur se për sasitë e importuara më herët në Kosovë janë ndërmarrë masa parandaluese në kohë. Në koordinim me operatorët ekonomikë, është realizuar tërheqja nga tregu e produkteve të paralajmëruara si të papërdorshme.
Inspektorët e AUV-së janë në terren dhe po vazhdojnë gjurmueshmërinë e plotë për të verifikuar nëse ka mbetur ndonjë njësi e produktit në qarkullim.
Vendimi në fuqi nga sot
Vendimi për ndalimin e importit hyn në fuqi nga sot, më 11.02.2026, dhe zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Agjencia ka njoftuar të gjithë operatorët ekonomikë për zbatim të detyrueshëm të këtij vendimi, duke theksuar se prioritet mbetet mbrojtja maksimale e shëndetit të foshnjave dhe konsumatorëve.
AUV ka bërë të ditur se do të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë çështje.

