Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vijuar sot me deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Avokati kryesor i Rexhep Selimi, Geoffrey Roberts, përmbylli paraqitjen e mbrojtjes duke theksuar se klienti i tij është i pafajshëm dhe se kjo, sipas tij, do të konfirmohet nga vlerësimi i plotë i provave.
“Nuk ka ushtruar përgjegjësi eprore”
Roberts deklaroi para trupit gjykues se Selimi nuk ka qenë komandant dhe nuk ka ushtruar asnjë formë përgjegjësie eprore.
“Selimi nuk ka qenë komandant. Nuk ka ushtruar asnjë përgjegjësi eprore në asnjë mënyrë dhe asnjë formë. Këtu përfshihet edhe autoriteti i pretenduar se ai ka qenë anëtar i këtyre strukturave”, tha ai.
Sipas mbrojtjes, Selimi nuk ka pasur vartës dhe nuk ka pasur kontroll efektiv, element kyç në pretendimet e Prokurorisë.
Kundërshtohen provat e Prokurorisë
Avokati theksoi se provat e paraqitura kundër Selimit janë kontradiktore, të pabesueshme dhe të pabazuara, duke përjashtuar çdo përfshirje të tij në krimet e pretenduara.
Pas përfundimit të fjalës së Roberts, gjykata ka shkuar në pushimin e drekës. Pas pushimit, pritet të nisë paraqitja e deklaratave përmbyllëse nga mbrojtja e Jakup Krasniqi.

