Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se në Pejë janë sekuestruar mbi 45 kilogramë ar gjatë një aksioni të gjerë inspektimi në tregun e metaleve të çmuara.
Aksioni është realizuar nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në koordinim me Prokuroria e Shtetit në Pejë, Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës – Njësia Kundër Kontrabandës.
Çfarë u gjet në terren?
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve janë evidentuar shkelje serioze, të cilat kanë rezultuar me këto masa:
-
Ndalim i përkohshëm i mallit – Mbi 20 kg ar i paverifikuar dhe pa shenjëzim nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës është bllokuar deri në përfundim të procedurave ligjore.
-
Sekuestrim – Mbi 25 kg punime ari janë sekuestruar, pasi subjektet ekonomike nuk kanë prezantuar dokumentacion mbi prejardhjen e tyre.
Paralajmërim për operatorët ekonomikë
IQMT thekson se tregtimi i metaleve të çmuara pa shenjëzim zyrtar dhe pa dokumentacion përkatës përbën shkelje të rëndë ligjore dhe do të ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi.
Institucionet paralajmërojnë se kontrollet do të vazhdojnë me intensitet të shtuar në të gjithë territorin e Kosovës, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e një tregu të ligjshëm dhe të barabartë.

