Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, do të mbajë sot në ora 14:00 një konferencë për media, ku pritet të adresojë çështjen e mospërfshirjes së buxhetit të Komunës së Prishtinës në Buxhetin e Republikës së Kosovës. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Rama, i cili një ditë më parë reagoi publikisht duke akuzuar Qeverinë për bllokim të qëllimshëm të buxhetit të Kryeqytetit.
Rama ka deklaruar se buxheti i Prishtinës është miratuar sipas procedurave ligjore dhe përbën dokument zyrtar të Republikës së Kosovës, ndërsa çdo ndërhyrje për ta anashkaluar apo mos e përfshirë në buxhetin qendror, sipas tij, përbën shkelje të rendit institucional. Ai ka theksuar se situata nuk është çështje teknike apo administrative, por vendim politik që, sipas tij, synon dobësimin e Kryeqytetit.
Sipas Ramës, vonesa ose bllokimi i buxhetit ndikon drejtpërdrejt në realizimin e projekteve kapitale, përfshirë ndërtimin e shkollave, investimet në çerdhe, përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin ekonomik lokal. Ai ka paralajmëruar se Komuna do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale për të mbrojtur, siç ka thënë, të drejtën e saj dhe interesin e qytetarëve të Prishtinës.
Konferenca e sotme pritet të sqarojë pozicionin zyrtar të Komunës lidhur me këtë çështje dhe hapat e mëtejmë që do të ndërmerren në raport me institucionet qendrore.

