Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka vazhduar sot paraqitjen e fjalëve përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Avokati Aiden Ellis deklaroi para trupit gjykues se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka arritur të provojë se Krasniqi ka ushtruar autoritet për të kryer arrestime apo ndalime, siç pretendohet në aktakuzë.
Sipas tij, pretendimi se Krasniqi ka ushtruar autoritet në arrestimin dhe ndalimin e Blerim Kuqit është i pabazuar.
“Prokuroria e di që këto pretendime nuk i ka provuar dhe është përpjekur të largohet prej tyre përmes argumenteve gojore”, tha Ellis.
Ai shtoi se Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë që Kuqi është arrestuar në praninë e Krasniqit dhe nuk ka thirrur asnjë dëshmitar që ka qenë prezent në momentin e arrestimit.
“Sa i përket barrës së provës në këtë çështje, mund të shkruhet një libër i tërë”, u shpreh ai.
Ellis tha gjithashtu se, sipas mbrojtjes, ekzistojnë dyshime serioze mbi dëshmitë e paraqitura nga Prokuroria. Ai përmendi edhe kontekstin e luftës, duke theksuar se forcat serbe kishin shkatërruar zona të ndryshme të Kosovës dhe se, sipas tij, Kuqi mund të jetë arrestuar për shkak të dezertimit.
Në përfundim të deklaratës së tij, Ellis citoi fjalët e një dëshmitari ndërkombëtar, Shaun Byrnes:
“Unë e ndjeja njerëzillëkun dhe seriozitetin e tij; ai ishte në thelb një burrë që e donte paqen.”

