Parlamenti Evropian ka vendosur të çaktivizojë funksionet e integruara të inteligjencës artificiale në pajisjet zyrtare të eurodeputetëve dhe stafit të tyre, pas shqetësimeve për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave.
Sipas një emaili të brendshëm të cituar nga POLITICO, departamenti i IT-së së institucionit ka vlerësuar se nuk mund të garantojë sigurinë e plotë të të dhënave të përpunuara nga këto mjete. Në veçanti, disa funksione të AI-së përdorin shërbime cloud për të kryer detyra që mund të realizohen lokalisht në pajisje, duke dërguar të dhëna drejt serverëve të jashtëm.
“Deri sa të sqarohet plotësisht shkalla e të dhënave që ndahen me ofruesit e shërbimeve, konsiderohet më e sigurt që këto veçori të mbahen të çaktivizuara”, thuhet në njoftimin drejtuar ligjvënësve.
Cilat funksione preken?
Sipas një zyrtari të BE-së, masa prek veçori të integruara si:
-
asistentët e shkrimit dhe përmbledhjes automatike,
-
asistentët virtualë të përmirësuar,
-
përmbledhjet automatike të faqeve të internetit.
Këto funksione janë çaktivizuar në tableta dhe telefona zyrtarë. Ndërkohë, aplikacionet bazë si email-i, kalendari dhe dokumentet e përditshme nuk preken nga vendimi.
Politika më e ashpër për sigurinë digjitale
Vendimi vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian ka forcuar ndjeshëm politikat për mbrojtjen e të dhënave dhe sigurinë kibernetike, veçanërisht në raport me ofruesit e huaj të teknologjisë. Më herët, një grup eurodeputetësh kishte kërkuar braktisjen e softuerëve të Microsoft në favor të alternativave evropiane.
Në vitin 2023, institucioni ndaloi gjithashtu përdorimin e TikTok në pajisjet zyrtare, duke rekomanduar fshirjen e aplikacionit edhe nga telefonat personalë të përdorur për punë.
Shërbimi i shtypit i Parlamentit deklaroi se institucioni “monitoron vazhdimisht kërcënimet kibernetike dhe merr masa të menjëhershme kur është e nevojshme”, por refuzoi të japë detaje specifike për arsye sigurie.
Thirrje për kujdes edhe në pajisjet private
Në email, eurodeputetëve u është bërë thirrje të aplikojnë masa të ngjashme edhe në pajisjet e tyre private, veçanërisht ato që përdoren për çështje pune. Rekomandohet të shmanget ekspozimi i dokumenteve, emaileve apo informacionit të brendshëm ndaj aplikacioneve të inteligjencës artificiale që analizojnë përmbajtjen, si dhe të tregohet kujdes me aplikacionet e palëve të treta.
Vendimi sinjalizon një qasje më të kujdesshme të institucioneve evropiane ndaj integrimit të AI-së në mjedise të ndjeshme, në një kohë kur teknologjia po përhapet me ritme të shpejta, por mbetet nën vëzhgim të rreptë për aspektet e privatësisë dhe sovranitetit digjital.
