E marta sjell destabilizim të fuqishëm të motit në Kosovë. Reshjet e shiut, shqotës dhe borës do të nisin që gjatë natës, ndërsa në mëngjes dhe paradite priten vranësira të dendura me reshje lokale shiu.
Nga mesdita ose pasdite, vendi do të përfshihet nga një front i fuqishëm i ftohtë ajror nga veriu. Si pasojë, reshjet e shiut do të shndërrohen në borë në shumë zona të vendit.
Temperatura maksimale paradite do të arrijë rreth 10°C, por gjatë pasdites dhe mbrëmjes do të pësojë rënie të ndjeshme për shkak të depërtimit të ajrit të ftohtë polar dhe erërave të forta veriore, të shoqëruara me reshje bore.

