Kancelari gjerman Friedrich Merz nuk do të udhëtojë në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes, duke argumentuar se mënyra aktuale e strukturimit të organizatës është e papranueshme për rendin kushtetues të Gjermanisë.
Sipas raportimit të Corriere della Sera, burime qeveritare gjermane kanë konfirmuar se Merz nuk do të marrë pjesë në ceremoni, as si pjesëmarrës dhe as si vëzhgues. “Kancelari është në kontakt të vazhdueshëm me Melonin, por është e qartë se ai nuk do të shkojë në Uashington”, thuhet në reagimin zyrtar.
Vetë Merz kishte paralajmëruar qëndrimin e tij më 23 janar, gjatë një takimi në Villa Pamphilj me kryeministren italiane Giorgia Meloni, duke theksuar se “siç është strukturuar aktualisht Bordi i Paqes, ne nuk mund t’i pranojmë strukturat e tij udhëheqëse në Gjermani për arsye kushtetuese”.
Në Berlin vlerësohet se pjesëmarrja në një organ të posaçëm që shihet si alternativë apo zëvendësim i mundshëm i OKB-së do të ishte problematike në aspektin juridik dhe politik. Qëndrimi gjerman mbetet i pandryshuar, ndonëse tema ka nxitur debat në vende të tjera evropiane.
Megjithatë, refuzimi për të marrë pjesë nuk nënkupton prishje të marrëdhënieve me Uashingtonin. Merz po ndërton një raport pragmatik me administratën amerikane, por ka sinjalizuar se Berlini nuk do të rreshtohet automatikisht pas çdo iniciative që vjen nga SHBA-të.
Sipas burimeve diplomatike, kancelari gjerman po përgatit një vizitë tjetër në Uashington nga 2 deri më 4 mars, çka tregon se dialogu mes dy vendeve do të vazhdojë, pavarësisht mospajtimeve për Bordin e Paqes.

