Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përgëzuar Presidenten Vjosa Osmani për pjesëmarrjen në marshin “Drejtësi, Jo Politikë”, duke theksuar se për çështje madhore kombëtare duhet të tejkalohen ndasitë partiake.
Në një deklaratë për Klan Kosova, Rama u shpreh se Kosova, tash në 18-vjetorin e Pavarësisë, duhet të tregojë pjekuri politike dhe të mendojë përtej “klikave partiake”.
“Duhet t’i tejkalojmë ndasitë partiake e politike kur kemi çështje të mëdha kombëtare. Ndoshta tash kur i mbushim 18 vite, nuk jemi më adoleshentë dhe duhet të mendojmë përtej këtyre ndasive”, tha Rama, duke përgëzuar të gjithë politikanët që iu bashkuan marshimit.
Ai shtoi se në Hagë “po gjykohet e ardhmja, historia, paqja dhe liria e vendit tonë”, duke theksuar se sakrifica për shtetësinë e Kosovës nuk duhet të cenohet.
Duke folur për festimet e 18-vjetorit të Pavarësisë, Rama tha se dita u shënua me aktivitete festive dhe me marshin në mbrojtje të vlerave të UÇK-së.

