Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbajti një fjalim të fortë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Uashington, ku përballë presidentit amerikan Donald Trump ngriti çështjen e ish-krerëve të UÇK-së dhe procesit gjyqësor në Hagë.
Rama falënderoi SHBA-në për ftesën dhe theksoi se vota unanime e Parlamentit shqiptar për anëtarësimin si vend themelues i Bordit të Paqes dëshmon mbështetjen e plotë politike ndaj kësaj nisme. Ai hodhi poshtë pretendimet se Bordi synon të zëvendësojë OKB-në, duke thënë se nëse kjo nismë ndihmon për ta “zgjuar” organizatën ndërkombëtare, atëherë është një zhvillim pozitiv.
Në pjesën e fjalimit kushtuar Gazës, Rama përgëzoi rolin e Trump në përpjekjet për armëpushim dhe konfirmoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në forcën ndërkombëtare të stabilizimit. Ai propozoi gjithashtu që vendet anëtare të kontribuojnë në ndërtimin e një objekti publik të dedikuar për fëmijët palestinezë, duke e cilësuar këtë si një simbol konkret të solidaritetit ndërkombëtar.
Por momenti më i fortë i fjalimit ishte kur Rama solli në vëmendje çështjen e Kosovës. Ai rikujtoi se gjatë mandatit të parë të Trump, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë kishte arritur një moment kyç, por sipas tij, presidenti i atëhershëm i Kosovës u ndalua të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë për shkak të aktakuzës së ngritur nga prokurori Jack Smith.
Rama deklaroi se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, prej gjashtë vitesh ndodhet në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe kritikoi ashpër procesin gjyqësor, duke thënë se gjykata ka dështuar të përmbahet ndaj standardeve demokratike të drejtësisë. Ai përmendi edhe kërkesën e fundit të prokurorisë për 45 vjet burgim, duke e cilësuar atë si tronditëse për opinionin publik në Kosovë.
Në fund të fjalës së tij, Rama i bëri thirrje presidentit Trump që të ndërhyjë për të parandaluar, sipas tij, pasoja të rënda politike dhe shoqërore, duke theksuar se çështja e liderëve të UÇK-së mbetet e ndjeshme për stabilitetin rajonal.
Takimi i parë i Bordit të Paqes u fokusua në rindërtimin e Gazës, me 5 miliardë dollarë të premtuara nga shtetet anëtare, si dhe në krijimin e një force ndërkombëtare stabilizimi. Shqipëria mori pjesë si vend themelues, ndërsa Rama ishte mes 26 folësve të ftuar në këtë aktivitet.

