Pas rreth dy orësh ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në deklarimin për media pas takimit, Abdixhiku tha se nuk është diskutuar për emra konkretë sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri.
“Nuk kemi folur për emra, është ende herët”, u shpreh ai.
Sipas tij, aktualisht ekzistojnë dy rrugë përpara: arritja e një konsensusi politik ndërmjet faktorëve kryesorë në vend, ose një marrëveshje klasike politike mes partive.
“Ka vetëm dy opsione: ose konsensus politik që duhet të ndërtohet brenda nëntë ditëve të ardhshme, ose një marrëveshje politike për çështjen e presidentit. Në të dyja rastet nevojiten dy të tretat e votave”, tha Abdixhiku, duke shtuar se palët do të vazhdojnë takimet në ditët në vijim.
Takimi u zhvillua me ftesë të Kurtit dhe kishte për temë zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Një ditë më parë, Kurti është takuar edhe me liderin e PDK-së, Bedri Hamza, në kuadër të konsultimeve për të njëjtën çështje.

