Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë urdhëruar largimin e diplomatëve jo thelbësorë dhe familjarëve të tyre nga Libani, në një moment kur tensionet me Irani janë në rritje dhe shtohet frika për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak në Lindjen e Mesme.
Një zyrtar i Departamenti i Shtetit i SHBA bëri të ditur se, pas një vlerësimi të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në rajon, është konsideruar e arsyeshme reduktimi i stafit të Ambasadës amerikane në Bejrut, duke lënë në detyrë vetëm personelin absolutisht të nevojshëm.
Sipas tij, masa është e përkohshme dhe ambasada vazhdon të funksionojë normalisht.
Vendimi vjen pasi javën e kaluar Irani zhvilloi stërvitje të përvitshme ushtarake së bashku me Rusinë, ndërsa SHBA-ja ka dërguar një aeroplanmbajtëse të dytë pranë rajonit. Të dyja palët kanë deklaruar se janë të gatshme për përballje ushtarake nëse dështojnë bisedimet për programin bërthamor iranian.
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se beson që 10 deri në 15 ditë janë të mjaftueshme për të arritur një marrëveshje me Teheranin. Megjithatë, negociatat kanë mbetur prej kohësh në ngërç, ndërsa Irani ka refuzuar të diskutojë kërkesat e SHBA-së dhe Izraelit për kufizimin e programit raketor dhe ndërprerjen e lidhjeve me organizata të armatosura në rajon.
Bisedimet indirekte të javëve të fundit kanë prodhuar pak përparim konkret, ndërkohë që analistët paralajmërojnë se palët mund të jenë duke fituar kohë për përgatitje të mundshme ushtarake.
Një zyrtar tjetër i Departamentit të Shtetit bëri të ditur se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mund të shtyjë vizitën e planifikuar në Izrael këtë fundjavë.

