Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se presidentja aktuale Vjosa Osmani nuk i ka të garantuara nënshkrimet e Partisë Demokratike të Kosovës për një mandat të dytë në krye të shtetit.
I pyetur nëse PDK do ta mbështesë Osmanin për rizgjedhje, Hamza tha se përveç vullnetit politik ekzistojnë edhe procedura formale që duhet të përmbushen për kandidaturën.
“Përveç vullnetit është edhe procedura. Për me qenë kandidat duhet të plotësohen kushtet formal-juridike, duhen 30 nënshkrime dhe duhet të jenë dy kandidatë me nga 30 nënshkrime”, tha Hamza.
Ai theksoi se deri më tani nuk ka ndonjë kandidaturë zyrtare që i ka siguruar 30 nënshkrimet dhe që ato janë dorëzuar në Kuvend për të vazhduar procedurat e zgjedhjes së presidentit.
Duke komentuar mundësinë që Osmani të marrë mbështetjen e PDK-së, Hamza u shpreh se edhe nëse ajo arrin të sigurojë nënshkrime të tjera, kjo nuk nënkupton se automatikisht do të ketë edhe përkrahjen e partisë së tij.
“PDK nuk i ka numrat e mjaftueshëm që ta propozojë vetë kandidatin, duhen edhe tetë nënshkrime. Edhe nëse ajo i ka të siguruara ato tetë, prap nuk e ka të garantuar që i merr nënshkrimet e PDK-së”, deklaroi ai.
Hamza rikujtoi gjithashtu se presidentja Osmani ishte zgjedhur me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe me mbështetjen e LDK-së, duke shtuar se deri në fund të vitit të kaluar ajo ka bërë veprime që, sipas tij, kanë qenë në favor të LVV-së.
Deklaratat ai i bëri në emisionin “Debat Plus”.

