Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Pekin, ku është takuar me kryeministrin kinez Li Qiang, duke theksuar nevojën për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Gjatë takimit, Merz deklaroi se Gjermania i kushton rëndësi të veçantë ruajtjes dhe thellimit të marrëdhënieve ekonomike me Kinën, e cila vitin e kaluar ishte partneri më i madh tregtar i Berlinit.
“Gjermania dhe Kina duhet të vazhdojnë të zhvillojnë bashkëpunimin e tyre ekonomik, duke siguruar një bashkëpunim të drejtë dhe komunikim të hapur”, u shpreh kancelari gjerman.
Ai theksoi gjithashtu se ekzistojnë disa shqetësime konkrete në raportet mes dy vendeve, por shtoi se qëllimi është përmirësimi i marrëdhënieve dhe ndërtimi i një partneriteti më të balancuar.
Vizita e Merz në Kinë është e para që nga marrja e detyrës si kancelar dhe vjen në një kohë kur disa liderë perëndimorë po përpiqen të rikthejnë dialogun ekonomik me Pekinin. Para tij, kryeministri britanik Keir Starmer dhe kryeministri kanadez Mark Carney kanë zhvilluar gjithashtu vizita në Kinë gjatë këtij viti.
Kina mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Gjermanisë. Berlini importon nga Kina produkte si pajisje elektronike, telefona inteligjentë, bateri, makineri dhe tekstile, ndërsa eksporton kryesisht automjete, makineri industriale dhe produkte kimike.

