Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tetë zyrtarëve policorë në dy raste të ndara në Gjakovë dhe Gjilan.
Sipas njoftimit të IPK-së, rasti i parë ka ndodhur më 19 shkurt në Gjakovë, kur një qytetar që kishte shkuar në stacion policor për të marrë një tiketë kundërvajtjeje për parkim të gabuar, përfundoi i arrestuar nën dyshimin për kanosje.
Pas ankesës së qytetarit, hetuesit analizuan dokumentacionin dhe një audio-incizim të rastit, ku dyshohet se raportet e përpiluara nga policët nuk përputhen me përmbajtjen e incizimit dhe mund të mos jenë të vërteta.
Në koordinim me Prokuroria Themelore në Gjakovë, hetimet po zhvillohen ndaj gjashtë zyrtarëve policorë për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa IPK ka rekomanduar suspendimin e tyre nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë.
Në një rast tjetër në Gjilan, IPK ka rekomanduar suspendimin e dy policëve të tjerë, ndaj të cilëve po zhvillohen hetime në koordinim me Prokuroria Themelore në Gjilan për veprën penale “lajmërim apo kallëzim i rremë”.
IPK ka bërë të ditur se hetimet janë në vazhdim dhe priten veprime të tjera për të sqaruar plotësisht rrethanat e dy rasteve.

