Zyra e Rregullatorit për Energji ka bërë të ditur se vendimi për rritjen e mundshme të çmimit të energjisë elektrike në Kosovë është ende në proces shqyrtimi dhe pritet pas përfundimit të analizave teknike dhe financiare.
Afro një muaj më parë, tre operatorët energjetikë – KEDS, KESCO dhe KOSTT – kanë paraqitur kërkesë për ndryshim të tarifave të energjisë elektrike.
Sipas ZRRE-së, ekspertët e institucionit janë duke analizuar aplikacionet e operatorëve në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative. Pas përfundimit të vlerësimit, raportet dhe propozimet tarifore do të publikohen dhe më pas do t’i nënshtrohen konsultimit publik para se të merret vendimi final.
Ndërkohë, eksperti i energjetikës, Adhurim Haxhimusa, vlerëson se rritja e tarifave është pothuajse e pashmangshme. Sipas tij, një nga arsyet kryesore është rritja e kostove për shkak të problemeve në prodhimin vendor të energjisë.
Ai thekson se gjatë vitit 2025 një bllok i termocentralit Kosova B ka qenë jashtë funksionit për shkak të renovimit, gjë që e detyroi Kosovën të importojë më shumë energji elektrike, duke rritur kostot e furnizimit.
Nga ana tjetër, iniciativa qytetare “Asnjë cent më shumë” paralajmëron kundërshtim të fortë nëse vendoset rritja e çmimit të rrymës. Aktivisti Luan Hasanaj ka deklaruar se janë duke u diskutuar hapa konkretë, përfshirë edhe protesta, për të kundërshtuar një vendim të tillë.
Ndryshe, KESCO ka kërkuar rritje mbi 20 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, duke u arsyetuar me rritjen e kostove operative dhe nevojën për furnizim të qëndrueshëm me energji.

