Kortizoli është një nga hormonet më të rëndësishme për funksionimin normal të organizmit. Ky hormon glukokortikoid prodhohet nga gjëndrat mbiveshkore dhe ndihmon trupin të rregullojë një sërë procesesh jetike, duke përfshirë metabolizmin, presionin e gjakut dhe reagimin ndaj stresit.
I njohur shpesh si “hormoni i stresit”, kortizoli luan rol kyç në kontrollin e përdorimit të yndyrnave, proteinave dhe karbohidrateve në trup. Ai gjithashtu ndihmon në rregullimin e sheqerit në gjak, në funksionimin e sistemit imunitar dhe në kontrollin e ciklit gjumë-zgjim.
Ekspertët theksojnë se balanca e këtij hormoni është thelbësore për shëndetin, pasi nivelet shumë të larta ose shumë të ulëta mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore.
Simptomat kur kortizoli është i lartë
Kur niveli i kortizolit rritet më shumë se normalja, mund të shfaqen disa shenja si:
-
shtim në peshë, veçanërisht në fytyrë dhe bark
-
depozita yndyre mes shpatullave
-
dobësi muskulore
-
rritje e sheqerit në gjak
-
tension i lartë i gjakut
-
osteoporozë dhe rrezik për fraktura
Kur kortizoli është shumë i ulët
Nivelet e ulëta të kortizolit lidhen me pamjaftueshmërinë e gjëndrave mbiveshkore dhe mund të shkaktojnë:
-
lodhje të vazhdueshme
-
humbje peshe pa arsye
-
mungesë oreksi
-
tension të ulët të gjakut
Një nga shkaqet kryesore të kësaj gjendjeje mund të jetë edhe sëmundja e Addison, një çrregullim autoimun që dëmton gjëndrat mbiveshkore.
Si të ulni kortizolin në mënyrë natyrale
Specialistët sugjerojnë disa mënyra të thjeshta për të mbajtur nën kontroll hormonin e stresit:
-
ushtrime fizike të rregullta
-
meditimi dhe ushtrimet e frymëmarrjes
-
humor dhe të qeshura
-
ushqim i shëndetshëm me fruta, peshk dhe perime
-
gjumë i mjaftueshëm dhe rutinë e rregullt e gjumit
Mbajtja e ekuilibrit të kortizolit ndihmon jo vetëm në uljen e stresit, por edhe në përmirësimin e shëndetit të përgjithshëm të trupit.

