Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nuk është kandidat për president të Kosovës.
Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Haradinaj tha se nuk ka ndërmarrë asnjë hap formal për kandidaturën, duke theksuar se nuk ka nisur as mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve.
Ai bëri të ditur se ka zhvilluar takime me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar rreth çështjes së zgjedhjes së presidentit, por sipas tij, nuk është arritur ndonjë marrëveshje apo qëndrim i përbashkët.
Haradinaj foli edhe për raportet me kryeministrin Albin Kurti, duke konfirmuar se nuk ka pasur ftesë për bisedime lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit.
Sipas tij, prej një kohe të gjatë nuk ka asnjë komunikim me Kurtin.

