Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka bërë të ditur se të hënën, më 2 mars 2026, në disa zona të vendit do të ketë ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike për shkak të punimeve në rrjet dhe mirëmbajtjes së sistemit energjetik.
Sipas njoftimit të KEDS, ndërprerjet do të ndodhin në disa lokalitete të Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt dhe Gjilanit, ndërsa punimet do të realizohen për siguri të sistemit, eliminim defektesh dhe projekte investive në rrjet.
Në rajonin e Prishtinës, ndërprerje të energjisë do të ketë nga ora 10:00 deri në 15:30 në fshatrat Koliq, Ballaban dhe Nishevci, për shkak të intervenimeve për eliminimin e defekteve të identifikuara gjatë inspektimit me dron. Po ashtu nga ora 09:00 deri në 15:30 pa energji elektrike do të mbeten Bardhoshi, Bërnica e Ulët, Barileva, Prugovci dhe disa zona përreth, për shkak të energjizimit të një rrjeti të ri në kuadër të projektit investiv.
Ndërkohë, në fshatin Lumi i Madh furnizimi me energji do të ndërpritet nga 08:00 deri në 15:30 për shkak të punimeve në shtrirjen e kabllove të reja.
Në rajonin e Prizrenit, ndërprerje të përkohshme do të ketë nga 12:00 deri në 13:00 në disa biznese në rrugën “Tirana”, ndërsa nga 13:40 deri në 14:30 pa energji elektrike do të mbeten disa fshatra të zonës së Zhupës, përfshirë Bogoshevcin, Mushnikovën, Sredskën, Pllanjanin dhe Prevallën, për shkak të kontrollit të ndërprerësve të fuqisë në rrjet.
Në rajonin e Ferizajt, ndërprerje të energjisë elektrike pritet të ketë nga 10:00 deri në 15:00 në disa lokalitete të Kaçanikut, përfshirë Kërbliqin, Leskovicën, Drenushën, Rakocin, Llanishtën dhe Runjevën, ku do të bëhen ndërhyrje për eliminimin e defekteve në rrjet.
Ndërsa në rajonin e Gjilanit, nga 09:00 deri në 14:00 pa energji elektrike do të mbeten disa fshatra si Draganca, Kufca, Makreshi, Mellci, Stanishori dhe Strazha, për shkak të vendosjes së një shtylle të re elektrike sipas projektit të aprovuar.
KEDS u ka bërë thirrje qytetarëve të zonave të prekura që të kenë mirëkuptim për ndërprerjet e planifikuara, duke theksuar se këto punime janë të domosdoshme për përmirësimin e sigurisë dhe stabilitetit të furnizimit me energji elektrike.

