Hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, ka deklaruar se deputetët e Kuvendit nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues dhe se mungesa e tyre në sallë nuk krijon vakum kushtetues.
Në një lidhje telefonike në emisionin Pressing në Televizioni T7, Cakolli kujtoi rastin kur Lëvizja Vetëvendosje kishte dorëzuar ankesë në Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me zgjedhjen e Hashim Thaçi president.
Sipas tij, argumenti i asaj kohe ishte se në sallë duhej të ishin të pranishëm të gjithë 120 deputetët, por Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar këtë pretendim, duke vlerësuar se procedura konsiderohet e rregullt nëse vendimi merret me shumicën minimale të kërkuar.
“Deputetët nuk bëjnë mirë nëse nuk qëndrojnë në sallë, por kjo nuk krijon vakum kushtetues. Gjykata ka përcaktuar se nëse vendimi mbahet me shumicën minimale, procedura është zhvilluar si duhet. Deputetëve u njihet mandati i lirë”, ka thënë ai.
Cakolli theksoi gjithashtu se nëse Presidenti i ri nuk zgjidhet deri të enjten, atëherë, sipas afateve kushtetuese, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

