Alarmi po troket nëpër dyert e partive politike për zgjedhjen e presidentit.
Megjithëse tashmë janë orët e fundit kur me Kushtetutën e Kosovës është paraparë zgjedhja e të parit të shtetit, nuk ka shenja se partitë mund të zgjohen e të arrijnë ndonjë marrëveshje.
Kryeministri Albin Kurti pritet ta kandidojë Glauk Konjufcën për president, por që partitë e tjera nuk pritet t’i japin mbështetje.
Kurti dje pati një takim tjetër me Lumir Abdixhikun, por sërish pa rezultat.
Në anën tjetër, është Blerim Sallahu që po jep indikacione se cili është plani i partisë në pushtet.
Sipas postimeve të tij, në momentin që nis votimi dhe shihet që në sallë nuk janë 80 deputetë, atëherë ata pritet ta pezullojnë procesin dhe ta dërgojnë rastin për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Diçka e paparë më herët pra, që procesi për zgjedhjen e presidentit të ndalet në gjysmë.
“Nëse në ruandin e parë nuk votojnë 2/3 e deputetëve për zgjedhjen e Presidentit, ruandi i parë do të jetë i pavlefshëm. Kësisoj, nuk mund kalohet në raundin e dytë. Andaj mospjesëmarrja e numrit të caktuar të deputetëve në votim të cilët e përbëjnë kuorumin natyrisht që cenon Kushtetutën dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese. Andaj, deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në votim në mënyrë që të zbatohet drejt dhe në tërësi procedura e zgjedhjes së Presidentit të vendit”, ka shkruar Sallahu.
Pra sipas tij, dështimi për ta zgjedhur presidentin nuk e çon vendin me automatizëm në zgjedhje. Kjo lë të kuptohet se partia në pushtet, po synon të blejë kohë.
Megjithatë, për Enver Hasanin, ish-kryetar i Gjykatës Kushetuese, cilido adresim në këtë institucion, është vetëm skenar. Ai theksoi për Nacionalen se në cilindo variant që presidenti zgjidhet pas datës 5 mars, është shkelje e Kushtetutës.
“Është shenjë e qartë për synimin për abuzim dhe shkelje të rendit kushtetues, siç ka bërë LVV gjatë tërë vitit të kaluar dhe në pjesën dërrmuese të aktivitetit të saj politik. Afati ende nuk është shkelur. Duhet të zgjidhet presidenti! Nuk ka nevojë për shkelje të Kushtetutës së Kosovës përmes riinterpretimeve destruktive, të cilat gjithmonë janë të mundura”, tha Hasani.
“Një zgjedhje e tillë sigurisht që është kundërkushtetuese, sepse bie ndesh drejtpërdrejt me dispozitën e qartë kushtetuese që urdhëron zgjedhjen e presidentit 30 ditë para skadimit të mandatit të presidentit aktual. Megjithatë, nëse një vendim i tillë nuk sfidohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë presidenti i ri, i zgjedhur pas datës 5 mars, e merr detyrën ditën e nesërme kur i skadon mandati zonjës Vjosa Osmani”, ka thënë Hasani për gazetën Nacionale.

