Të enjten në Kosovë pritet destabilizim i motit për shkak të depërtimit të një fronti të dobët të ftohtë ajror. Si pasojë, moti do të karakterizohet me vranësira dhe intervale të shkurtra me diell.
Gjatë ditës priten dendësime të theksuara të vranësirave, të cilat do të sjellin reshje shiu, ndërsa në disa zona mund të ketë edhe rrebeshe më intensive. Nuk përjashtohet mundësia që lokalisht të ketë edhe bubullima.
Në viset më të larta malore priten reshje bore. Temperaturat do të luhaten nga 4 gradë Celsius minimalja deri në 14 gradë Celsius maksimalja gjatë ditës.

