Në Kosova sot nis shënimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e vendit. Manifestimet për nder të luftës çlirimtare dhe të familjes Jashari do të zhvillohen më 5, 6 dhe 7 mars në gjithë vendin.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Kosovës do t’i kushtohet sakrificës së familjes Jashari dhe historisë së luftës çlirimtare.
Epopeja e UÇK-së lidhet me rezistencën heroike të Adem Jashari dhe familjes së tij, të cilët më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u përballën me një sulm të forcave serbe në Prekaz, duke u shndërruar në simbol të qëndresës dhe sakrificës për lirinë e Kosovës.
Aktivitetet e 5 marsit
Sipas agjendës zyrtare, sot do të zhvillohen disa aktivitete përkujtimore dhe institucionale:
-
08:00 – Ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës i kushtohet Epopesë së UÇK-së
-
09:00 – Mbledhje solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës
-
10:00 – Seancë solemne në Kuvendin e Republikës së Kosovës
-
10:00 – Seanca solemne edhe në kuvendet komunale në gjithë vendin
-
12:00 – Rreshtimi i kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë
-
14:30 – Gara mbarëkombëtare e volejbollit për femra “Adem Jashari” në Skenderaj
Manifestimet përkujtimore do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me aktivitete shtetërore, kulturore dhe sportive në nderim të luftës çlirimtare dhe sakrificës së familjes Jashari.

