Sot shënohet dita e dytë e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e njohur si Dita e Dëshmorëve, një nga momentet më domethënëse të përkujtimit të sakrificës për lirinë e vendit.
Me këtë rast, në gjithë Kosovën organizohen homazhe dhe aktivitete përkujtimore në nderim të të rënëve të luftës çlirimtare.
Ceremonitë e homazheve do të nisin që në orët e para të mëngjesit, ku qytetarë, familjarë të dëshmorëve dhe krerë të institucioneve të Kosovës do të bëjnë nderime në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e kësaj dite do të hapet edhe ekspozita “Tri ditë që ndryshuan historinë”, e organizuar nga Kuvendi i Kosovës, e cila i kushtohet qëndresës heroike të familjes Jashari dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërkohë, në orën 19:00 do të mbahet një akademi përkujtimore, ku do të nderohet sakrifica e luftëtarëve të UÇK-së. Në këtë aktivitet pritet të ketë edhe pjesëmarrje artistike nga Opera dhe Filarmonia e Kosovës.
Aktivitetet për shënimin e Epopesë së UÇK-së do të përmbyllen nesër, në ditën e tretë, me manifestimin tradicional “Nata e Zjarreve” në Prekaz.

