I dërguari special presidencial i SHBA-së për misione të veçanta, Richard Grenell, ka reaguar pas vendimit për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në Kosovë.
Grenell e ka cilësuar këtë zhvillim si një lajm pozitiv, duke përshëndetur mundësinë për zgjedhje të reja në vend.
Në një postim në platformën X, ai shkroi se beson se zhvillimet aktuale po hapin rrugën për rikthimin në politikë të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Lajm i shkëlqyer. Zoti po na përgatit të gjithëve për rikthimin e Hashim Thaçi! Thaçi për kryeministër”, ka shkruar Grenell.
Deklarata e tij vjen pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dekretoi shpërndarjen e Kuvendit për shkak të dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues, duke hapur rrugën për zgjedhje të jashtëzakonshme.

