Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se përplasjet mes tyre nuk janë në të mirë të vendit.
Në një video-adresim publik, Hoxhaj theksoi se perceptimi se tensionet politike mes dy figurave kryesore të shtetit mund të jenë në favor të opozitës është i gabuar.
Sipas tij, konflikti politik ndërmjet presidentes dhe kryeministrit nuk përbën avantazh për opozitën, por përkundrazi është një tregues i problemeve që, sipas tij, i janë shkaktuar Kosovës nga përçarjet politike në udhëheqjen e vendit.
“Armiku i armikut tim është miku im. Kështu mendonin romakët. Kështu po mendojnë ende disa sot në Kosovë, se armiqësia politike në mes të ish-presidentes dhe ish-kryeministrit është në favor të opozitës”, deklaroi Hoxhaj.
Ai shtoi se një qasje e tillë është e gabuar dhe se përplasjet në nivelin më të lartë të institucioneve të vendit vetëm sa e dëmtojnë stabilitetin politik dhe funksionimin e shtetit.
Deklaratat e Hoxhajt vijnë në një kohë kur raportet mes institucioneve kryesore në Kosovo janë bërë pjesë e debatit politik në vend.

