Shefi i Grupit Parlamentar të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani lidhur me vendimin për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Tahiri tha se për të është “shokuese” që presidentja, sipas tij, ka vepruar në sinkron të plotë me kryeministrin Albin Kurti, duke i shërbyer interesave elektorale të tij.
“Për mua është bukur shokuese të dëgjoj se Presidentja Vjosa Osmani kishte vepruar në sinkronizim të plotë kundër opozitës, duke i shërbyer kauzës elektorale të Albin Kurtit”, ka shkruar Tahiri.
Ai shtoi se data e zgjedhjeve – 28 dhjetor 2025 – ishte pikërisht ajo që ishte kërkuar nga Kurti, ndonëse sipas tij kjo datë ishte kundërshtuar nga partitë opozitare.
Deklarata e Tahirit vjen në një moment të tensioneve politike pas vendimit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe nisjen e procedurave për zgjedhje të reja parlamentare, një vendim që ka nxitur reagime të shumta nga skena politike në vend.

