Reperi nga Peja, Besart Kelmendi, i njohur për publikun me emrin artistik Gjesti, është arrestuar të mërkurën në Prishtinë nën dyshimin për posedim të armës pa leje.
Sipas njoftimit të Policia e Kosovës, arrestimi ka ndodhur rreth orës 15:00 në rrugën “Mehmet Isahi” në kryeqytet.
Policia bëri të ditur se i dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar lidhur me rastin.
“Sot rreth orës 15:00 në rrugën Mehmet Isahi në Prishtinë, Policia ka arrestuar një person të dyshuar për armëmbajtje pa leje. I dyshuari është intervistuar dhe, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente dhe pritet që në vazhdim të ketë më shumë detaje rreth incidentit.
Gjesti është bërë shumë i njohur për publikun shqiptar, sidomos pas fitores në Big Brother VIP Albania, ku fitoi edicionin e katërt të spektaklit.

