Këshilli Prokurorial i Kosovës ka zgjedhur kryesuesin e ri të institucionit, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme ku u zhvillua procesi i votimit të fshehtë nga anëtarët e këtij këshilli.
Në garë për drejtimin e KPK-së ishin prokurori i Prokurorisë së Apelit, Arian Gashi, dhe prokurori i Prokurorisë Speciale, Milot Krasniqi.
Pas procesit të votimit, Arian Gashi është zgjedhur Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Ndërkohë, profesori universitar Dardan Vuniqi është zgjedhur Zëvendëskryesues i KPK-së, duke marrë mbështetjen e anëtarëve të këshillit me 7 vota pro dhe asnjë kundër.
Zgjedhja e drejtuesve të rinj të KPK-së vjen në një moment të rëndësishëm për sistemin prokurorial në Kosovë, ndërsa ky institucion ka rol kyç në menaxhimin dhe funksionimin e prokurorive në vend.

