Zëvendëskryeministrja e Kosovës dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka shprehur habi dhe kritika ndaj dekretit të Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit, duke e cilësuar atë si një veprim të nxituar në një moment të ndjeshëm politik për vendin. Në një intervistë për RTK, Gërvalla tha se vendimi i marrë herët në mëngjes i ka lënë përshtypjen e një veprimi të shpejtë dhe të pamenduar mirë, sidomos duke pasur parasysh përvojën juridike dhe politike të presidentes.
Ajo theksoi se aktualisht Kosova ndodhet në një situatë të komplikuar kushtetuese, me një Kuvend që nuk mund të ushtrojë funksionet e tij dhe me një sërë ligjesh dhe marrëveshjesh që kanë mbetur pezull. Sipas saj, ndër to është edhe projektligji për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, i cili është proceduar sërish në qeveri, por nuk mund të avancojë pa një Kuvend funksional. Gërvalla paralajmëroi se kjo gjendje po bllokon drejtpërdrejt proceset shtetërore dhe po dëmton funksionimin normal të institucioneve.
Në të njëjtën kohë, ajo fajësoi partitë opozitare për ngërçin e krijuar rreth zgjedhjes së presidentit të ri, duke thënë se përgjegjësia bie mbi ata deputetë që nuk morën pjesë në seancën vendimtare. Sipas saj, pas një periudhe të gjatë bllokadash politike gjatë vitit 2025 dhe pas zgjedhjeve që dhanë një mandat të qartë, është e papranueshme që vendi të përballet sërish me të njëjtin skenar.
Gërvalla e cilësoi situatën si të pakuptueshme për qytetarët, duke theksuar se ata tashmë kanë kaluar nëpër procese zgjedhore dhe rrezikojnë të përballen përsëri me zgjedhje të reja për shkak të mosmarrëveshjeve politike. Ajo shtoi se zgjedhja e presidentit duhet të ishte një moment uniteti dhe normaliteti institucional, por në vend të kësaj është shndërruar në një tjetër bllokadë politike që, sipas saj, tregon për mungesë pjekurie në skenën politike të vendit.

