Një zyrtar i lartë i Pentagonit ka paralajmëruar se operacionet ushtarake të SHBA-së kundër karteleve të drogës në Amerikën Jugore dhe Qendrore janë vetëm në fazën fillestare, duke lënë të hapur mundësinë e përshkallëzimit edhe në terren.
Gjatë një seance dëgjimore në Kongres, Joseph Humire deklaroi se misioni aktual – i njohur si Operacioni “Southern Spear” – po zgjerohet dhe mund të përfshijë edhe operacione tokësore në të ardhmen, përtej sulmeve detare që janë duke u zhvilluar aktualisht.
Sipas të dhënave të Pentagonit, që nga shtatori janë kryer dhjetëra sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe në Paqësorin lindor, ku janë vrarë të paktën 157 persona. Në këtë operacion janë angazhuar mbi 15 mijë trupa amerikane, duke përfshirë njësi detare, forca speciale dhe kapacitete të mbikëqyrjes.
Humire mbrojti strategjinë aktuale, duke theksuar se këto operacione po “shpëtojnë jetë amerikane” dhe po rrisin presionin ndaj rrjeteve të trafikut të drogës. Ai shtoi se është vërejtur një rënie prej 20% e lëvizjeve të anijeve në Karaibe dhe 25% në Paqësorin lindor që nga fillimi i operacionit.
Megjithatë, deklaratat e tij kanë ngritur shqetësime në mesin e demokratëve në Kongres, të cilët paralajmërojnë për rrezikun e një tjetër “lufte të pafundme” pa objektiva të qarta. Ligjvënës si Adam Smith dhe Gil Cisneros vunë në pikëpyetje efektivitetin real të këtyre operacioneve dhe paralajmëruan për implikime ligjore dhe morale, duke ngritur shqetësime edhe për përdorimin e forcës vdekjeprurëse ndaj të dyshuarve.
Pentagoni ka bërë të ditur se po bashkëpunon me ushtritë e vendeve partnere në rajon, përfshirë operacione të përbashkëta me Ekuadorin, por nuk ka përjashtuar as mundësinë e ndërhyrjeve të njëanshme në të ardhmen.
Nga ana tjetër, republikanët në Kongres kanë mbështetur fuqishëm këtë qasje, duke theksuar se lufta kundër karteleve duhet të zhvillohet në burim dhe jo vetëm brenda kufijve të SHBA-së.
Zhvillimet e fundit tregojnë një zgjerim të rolit ushtarak amerikan në hemisferën perëndimore, në një kohë kur SHBA është tashmë e angazhuar në tensione të larta edhe në Lindjen e Mesme, duke shtuar shqetësimet për mbingarkesë strategjike dhe përshkallëzim të konflikteve në disa fronte njëkohësisht.

