Tensionet në Lindjen e Mesme po hyjnë në një fazë edhe më të rrezikshme. Pete Hegseth, Sekretari i Mbrojtjes i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka paralajmëruar se sot do të jetë dita me numrin më të madh të sulmeve ndaj Iranit deri më tani.
Në një deklaratë të fortë për media, ai konfirmoi se operacionet ushtarake po intensifikohen dhe se SHBA “është brenda planit”, pa dhënë një afat të qartë për përfundimin e konfliktit.
“Edhe një herë, sot do të jetë dita me numrin më të lartë të sulmeve deri më tani”, deklaroi Hegseth, duke shtuar se rezultati final do të varet nga vendimet e presidentit Donald Trump.
Mesazhi i qartë: Nuk tolerohet Irani bërthamor
Sipas tij, arsyeja kryesore e përshkallëzimit është frika nga kapacitetet bërthamore të Iranit.
“Një regjim që nuk heq dorë nga ambiciet bërthamore është kërcënim për Amerikën dhe qytetërimin”, tha ai, duke e vendosur konfliktin në një nivel shumë më të gjerë sesa thjesht rajonal.
Madje, në një deklaratë që pritet të shkaktojë debat, Hegseth u shpreh se aleatët duhet ta falënderojnë Trumpin, duke përmendur edhe kritikat ndaj vendeve evropiane.
200 miliardë dollarë për luftën?
Në të njëjtën kohë, ai nuk e mohoi raportimin se Pentagoni ka kërkuar një paketë financimi që mund të kalojë 200 miliardë dollarë për operacionet ushtarake.
Deklarata më e fortë erdhi pikërisht këtu:
“Duhen para për të vrarë të këqijtë”, tha ai, duke e bërë të qartë se lufta nuk do të jetë as e lirë dhe as e shkurtër.
Një konflikt që mund të zgjerohet
Me intensifikimin e sulmeve dhe kërkesën për fonde gjigante, sinjalet janë të qarta: ky nuk është më një operacion i kufizuar.
Është një konflikt që po merr përmasa globale – dhe nëse vazhdon me këtë ritëm, bota mund të përballet me pasoja shumë më të mëdha se sa një krizë rajonale.
Në këtë pikë, pyetja nuk është më nëse do të përshkallëzohet… por sa larg do të shkojë.

