Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka shqiptuar mbi 20 masa ndëshkuese ndaj subjekteve afariste vetëm gjatë dy ditëve të fundit, në kuadër të një aksioni të gjerë inspektimesh në të gjithë territorin e Kosovës.
Sipas përfaqësueses së këtij institucioni, Elma Krasniqi, gjatë kontrolleve janë konstatuar një numër i konsiderueshëm shkeljesh, për të cilat janë ndërmarrë veprime në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ajo bëri të ditur se ndër shkeljet më të shpeshta kanë qenë mospërputhjet e çmimeve mes raftit dhe arkës, mungesa e flamurit të origjinës për produktet, si dhe parregullsi të tjera në afishimin e çmimeve.
“Inspektorët, konform legjislacionit në fuqi, kanë të drejtë që brenda afatit prej 8 ditësh nga konstatimi i shkeljes të marrin vendim për shqiptimin e masës ndëshkuese. Për subjektet që përsërisin shkeljet do të ketë masa progresive, ndërsa për rastet e para do të merren parasysh rrethanat përkatëse”, ka deklaruar Krasniqi.
Nga Inspektorati theksojnë se ky aksion synon rritjen e transparencës në treg dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga praktikat abuzive.
Autoritetet kanë paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa bizneset që nuk respektojnë rregullat do të përballen me masa të ashpra ndëshkuese.
