Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar, ka vizituar Bashkësia Islame e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajrami.
Gjatë vizitës në selinë e BIK-ut në Prishtinë, Kurti u prit nga Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, të cilin e falënderoi për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të institucionit fetar në shoqëri.
“Si çdo vit, edhe sivjet për çdo Bajram, vizitën e parë e bëjmë te myftiu Naim Tërnava, për t’i falënderuar për angazhimin, punën dhe kontributin, edhe aktual edhe historik”, u shpreh Kurti.
Kujtim për hoxhallarët e rënë në luftë
Kryeministri theksoi se kjo ditë është edhe moment reflektimi, duke kujtuar sakrificën e figurave fetare gjatë luftës.
“Sot kujtojmë edhe 37 hoxhallarë, imamë, shehitë që ranë heronj në luftën çlirimtare”, tha ai.
Vizita e Kurtit në BIK është pjesë e traditës institucionale gjatë festave fetare, duke përcjellë mesazhe respekti, bashkëpunimi dhe uniteti në shoqëri.

