Lufta mes Rusia dhe Ukraina ka hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, me të dyja palët që kanë kryer sulme masive me dronë vetëm pak ditë pas bisedimeve diplomatike mes Kievit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Florida.
Sipas autoriteteve ruse, gjatë natës janë rrëzuar 249 dronë ukrainas – një nga sulmet më të mëdha ajrore të këtij lloji që nga fillimi i luftës. Në të njëjtën kohë, pala ukrainase raportoi se Rusia ka lëshuar 251 dronë sulmues drejt territorit të saj, duke goditur zona civile dhe infrastrukturore.
Goditjet ruse u përqendruan veçanërisht në jug të Ukrainës, ku rajoni i Odesës u përball me dëme në infrastrukturën portuale, ndërsa në qytetin industrial Krivi Rih u raportuan të paktën katër të plagosur dhe zjarre në disa objekte.
Nga ana tjetër, Ukraina vazhdoi strategjinë e saj për të goditur infrastrukturën energjetike ruse. Një nga objektivat kryesorë ishte porti i Primorskit në Detin Baltik – një nga nyjet më të rëndësishme për eksportin e naftës ruse – ku një sulm me dronë shkaktoi zjarr në një rezervuar karburanti. Autoritetet rajonale konfirmuan se mbi 70 dronë u neutralizuan vetëm në këtë zonë brenda 24 orëve.
Ky port, me kapacitet mbi një milion fuçi në ditë, përbën një arterie jetike për ekonominë energjetike të Rusisë, dhe sulme të tilla synojnë drejtpërdrejt dobësimin e kapaciteteve financiare të luftës së Moskës.
Përshkallëzimi vjen në një moment kur në Florida janë zhvilluar bisedime mes delegacioneve amerikane dhe ukrainase, ku janë diskutuar garancitë e sigurisë dhe mundësia e shkëmbimit të të burgosurve. Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se ka “sinjale pozitive” për hapa humanitarë, ndërsa emisari amerikan Steve Witkoff i cilësoi diskutimet si “frytdhënëse”.
Megjithatë, pavarësisht këtij momenti diplomatik, realiteti në terren tregon një tjetër histori: intensifikim të sulmeve dhe një luftë që po bëhet gjithnjë e më teknologjike, e bazuar në dronë dhe goditje të thella strategjike.
Ndërkohë, Kremlini ka bërë të ditur se bisedimet trepalëshe për përfundimin e luftës janë aktualisht në “pauzë”, duke lënë të kuptohet se çdo shpresë për një armëpushim mbetet e brishtë në një moment kur fronti po digjet më fort se kurrë.Burimi:REL.

