Një kapitull i ri po përgatitet për kombëtaren e Francës, me legjendën Zinedine Zidane që pritet të marrë drejtimin e ekipit pas përfundimit të Kupës së Botës.
Sipas raportimit të “Le Parisien”, ekziston tashmë një marrëveshje verbale mes Zidane dhe Federatës Franceze të Futbollit, e cila pritet të formalizohet me shkrim në muajt në vijim. Ky zhvillim vjen pas viteve pritjeje nga ish-trajneri i Real Madridit, i cili kishte refuzuar oferta të shumta për të mbajtur të hapur mundësinë e drejtimit të “Les Bleus”.
Presidenti i federatës, Philippe Diallo, ka lënë të kuptohet se pasardhësi i trajnerit aktual Didier Deschamps tashmë është i vendosur, pa e përmendur drejtpërdrejt emrin. Megjithatë, në Francë konsiderohet një “sekret i hapur” se bëhet fjalë pikërisht për Zidane.
Emërimi i tij pritet të shënojë fundin e një epoke 14-vjeçare të Deschamps, i cili ka udhëhequr Francën drejt triumfit në Kupën e Botës 2018 dhe një tjetër finale në Katar. Ndërkohë, ardhja e Zidane shihet si një zgjedhje që bashkon mbështetjen publike dhe profilin e një trajneri me përvojë në nivelet më të larta të futbollit.
Nëse konfirmohet zyrtarisht, Zidane do të marrë drejtimin e një prej kombëtareve më të forta në botë, me pritshmëri të mëdha për të vazhduar suksesin dhe për të hapur një epokë të re në futbollin francez.

