Shtetet e Bashkuara po rrisin presionin ndaj Bashkimi Evropian për të miratuar sa më shpejt marrëveshjen tregtare të arritur me administratën e Donald Trump, duke paralajmëruar se çdo vonesë do të ishte një “gabim ekonomik”.
Ambasadori amerikan në BE, Andrew Puzder, në një intervistë për POLITICO theksoi se miratimi i kësaj marrëveshjeje do të hapte rrugën për bashkëpunim më të thellë transatlantik në fusha strategjike si energjia, teknologjia dhe inteligjenca artificiale.
“Ekonomikisht, do të ishte keqpërdorim të mos votohej për këtë”, deklaroi Puzder, duke nënvizuar se marrëveshja është në interes të përbashkët të të dyja palëve.
Marrëveshja, e arritur vitin e kaluar në Turnberry të Skocisë, parashikon ndër të tjera angazhimin e BE-së për të investuar rreth 750 miliardë dollarë në energjinë amerikane, si dhe uljen e barrierave tregtare për mallrat industriale.
Megjithatë, procesi i ratifikimit në Parlamentin Evropian ka hasur në vonesa, ndërsa eurodeputetët kanë kërkuar mekanizma mbrojtës në rast se SHBA nuk respekton detyrimet e saj. Ndër amendamentet e propozuara përfshihet edhe një klauzolë pezullimi dhe kufizimi kohor i marrëveshjes deri në vitin 2028.
Puzder pranoi se në Uashington ka frustrim për ritmin e ngadaltë të procesit në Bruksel, duke theksuar se “ka kaluar mjaftueshëm kohë” dhe se tashmë pritet një vendim konkret nga eurodeputetët.
Nëse marrëveshja miratohet në votimin e ardhshëm në Parlamentin Evropian, ajo do të hapë fazën përfundimtare të negociatave për zbatimin e saj, duke përcaktuar një kapitull të ri në marrëdhëniet ekonomike mes SHBA-së dhe Evropës.
Megjithatë, tensionet politike dhe mosbesimi i ndërsjellë mbeten faktorë kyç që mund të ndikojnë në fatin e kësaj marrëveshjeje strategjike.
