Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka paralajmëruar masa të rrepta ndaj të gjithë atyre që hedhin mbeturina ndërtimore dhe vëllimore në mënyrë ilegale në hapësirat publike.
Sipas njoftimit zyrtar, Inspeksioni Komunal dhe Policia e Kryeqytetit janë angazhuar me kapacitet të plotë për të parandaluar këtë dukuri, e cila vazhdon të mbetet problem serioz për mjedisin dhe rendin urban.
Autoritetet kanë bërë të ditur se shkelësit do të përballen me ndëshkime konkrete, përfshirë gjoba dhe konfiskim të automjeteve që përdoren për transportimin dhe hedhjen ilegale të mbeturinave.
Komuna ka përcaktuar edhe lokacionin e autorizuar për depozitimin e këtyre mbetjeve, në rrugën “Qëndresa”, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të respektojnë rregullat dhe të shmangin ndotjen e hapësirave publike.
Ndërkohë, bashkëpunimi i qytetarëve konsiderohet kyç në këtë aksion. Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë banorëve që të raportojnë çdo rast të hedhjes ilegale të materialeve ndërtimore, mobiljeve, gomave apo mbetjeve të tjera voluminoze.
Ky veprim vjen në kuadër të përpjekjeve për një qytet më të pastër dhe për forcimin e rendit dhe përgjegjësisë qytetare në Prishtinë.

