Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar masakrën e fshatit Kotlinë në përvjetorin e 27-të, duke rikujtuar krimet e rënda të kryera nga forcat serbe gjatë luftës së vitit 1999 dhe mungesën e drejtësisë për shumë prej autorëve.
Sipas Kurtit, më 24 mars 1999, forcat serbe rrethuan fshatin Kotlinë me tanke dhe automjete të blinduara, duke mbledhur me forcë banorët dhe duke ushtruar dhunë ndaj civilëve. Ai theksoi se tre të moshuar u vranë dhe trupat e tyre u dogjën, ndërsa gratë, fëmijët dhe të moshuarit u dëbuan me dhunë.
Në të njëjtën kohë, burrat u ndanë dhe u torturuan, ndërsa 35 të rinj u morën peng. Prej tyre, 22 u vranë, përfshirë edhe adoleshentë të moshës 16-17 vjeç. Trupat e viktimave, sipas tij, u hodhën në puse dhe u mbuluan me eksploziv në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.
Gjashtë muaj pas luftës, hetimet e Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dokumentuan varreza masive në zonë, duke siguruar prova për krimet e kryera.
Kurti theksoi se megjithëse ish-gjenerali serb Vllastimir Gjorgjeviq është dënuar nga drejtësia ndërkombëtare, shumë nga autorët e drejtpërdrejtë ende nuk janë përballur me drejtësinë.
Në fund, ai bëri thirrje për kujtesë dhe drejtësi, duke nderuar viktimat dhe duke theksuar rëndësinë e mosharresës për krimet e luftës në Kosovë.

