Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngritur alarmin për një fushatë të organizuar, të cilën e cilësoi si sulm të drejtpërdrejtë ndaj dinjitetit njerëzor dhe vetë demokracisë në vend.
Duke folur në konferencën hapëse të Javës së Gruas (WoW) 2026, Osmani deklaroi se sulmet ndaj saj nuk lidhen me kritikë apo llogaridhënie, por me një strategji të qëllimshme për diskreditim përmes propagandës dhe dezinformimit.
“Është një përpjekje për ta zhveshur një njeri nga dinjiteti i tij njerëzor… për ta kthyer në objekt dhe për të zëvendësuar të vërtetën me imazhe të manipuluara,” u shpreh ajo, duke theksuar se gënjeshtrat e përsëritura rrezikojnë të perceptohen si të vërteta.
Presidentja paralajmëroi se një klimë e tillë krijon precedent të rrezikshëm për shoqërinë dhe politikën, veçanërisht për gratë që synojnë të angazhohen në jetën publike. Sipas saj, kjo është një formë presioni që synon t’i frikësojë dhe t’i largojë ato nga vendimmarrja.
Ajo theksoi se kjo nuk është një çështje personale, por një sfidë për vetë themelet demokratike. “Kur propaganda mund ta kthejë këdo në tradhtar brenda natës… atëherë e gjithë demokracia është në rrezik,” tha Osmani.
Në të njëjtën linjë, presidentja kërkoi më shumë përgjegjësi institucionale për të luftuar dezinformimin dhe abuzimin me teknologjinë, duke theksuar se lidershipi i ndjeshëm ndaj gjinisë është një domosdoshmëri dhe jo luks.
Mesazhi i saj ishte i qartë dhe i fortë: një shoqëri që toleron shpifjen dhe relativizon të vërtetën rrezikon të humbasë busullën morale – dhe bashkë me të, edhe vetë demokracinë.

